Ditën e martë më 3 nëntor 2009, në kuadër zgjerimit të marrëdhënieve kulturore midis Iranit dhe Shqipërisë, në ambientet e fakultetit të Arteve të Bukura në Akademinë e Arteve të Shqipërisë u zhvillua një veprimtari promovuese. Kjo veprimtari, në të cilën morën pjesë studentë dhe profesorë të Akademisë së Arteve, u organizua nga Fondacioni Kulturor Iranian “Saadi Shirazi” dhe fakulteti i Arteve të Bukura në Tiranë për promovimin e një prej librave të botuar më së fundi nga Fondacioni “Një hyrje në Artin Islamik Pers” me autor Dr. Mahnaz Shajestehfar .

Në këtë vepimtari merrnin pjesë, drejtori i Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh, rektori i Akademisë së Arteve, prof. dr. Petrit Malaj, dekani i fakultetit të Arteve të Bukura Prof. Sadik Spahija si dhe dhjetëra profesorë të tjerë të nderuar të Akademisë së Arteve.
Në hapjen e këtij aktiviteti, dekani i fakultetit të Arteve të Bukura z. Sadik Spahija, prezantoi drejtorin e Fondacionit Kulturor “Saadi Shirazi” si dhe pjesëmarrjen e një grupi përfaqësuesish nga ky fakultet në festivalin ndërkombëtar të arteve pamore që u zhvillua në pranverën e këtij viti në Iran. z. Spahija prezantoi edhe dokumentarin kulturor dhe artistik mbi Iranin i përkthyer dhe titruar në gjuhën shqipe, mundësuar nga fondacioni kulturor “Saadi Shirazi” si dhe prezantoi librin “Një hyrje në artin islamik pers” i përkthyer dhe botuar nga po ky fondacion. Këtë aktivitet ai e konsideroi mjaft të dobishëm për studentët e Akademisë së Arteve të Shqipërisë.

Më pas fjalën e mori, drejtori i fondacionit kulturor iranian “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh i cili shprehu gëzimin e tij lidhur me organizimin e këtij aktiviteti kulturor në praninë e studentëve të Akademisë së Arteve. Gjithashtu pjesëmarrjen e rektorit të Akademisë së Arteve, z. Petrit Malaj, e konsideroi si përkushtim vëmendje ndaj marrëdhënieve kulturore dhe artistike dypalëshe. z. Falahatpisheh e vlerësoi lart bashkëpunimin e fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” me Akademinë e Arteve të Shqipërisë dhe shprehu dëshirën për thellimin e mëtejshëm të këtyre marrëdhënieve.

Në këtë takim, në fjalën e tij përshëndetëse, rektori i Akademisë të Arteve, dr. Petrit Malaj, u shpreh se është në dijeni të kontakteve ndërmjet Akademisë së Arteve dhe Fondacionit Kulturor Saadi Shirazi, dhe kërkoi që ky bashkëpunim të jetë maksimal. Ai u bëri thirrje studentëve që ata të jenë përfituesit kryesorë të këtij bashkëpunimi.
Në vazhdim të këtij aktiviteti u shfaq dokumentari 7 pamjet e një qytetërimi, i cili ishte titruar në gjuhën shqipe dhe i ndoq me kërshëri dhe vëmendje nga studentët dhe profesorët. Në përfundim të dokumentarit, drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, foli lidhur me pikat e përbashkëta kulturore reale midis dy vendeve të cilat nuk janë krijuar artificialisht, duke kërkuar që bazuar mbi këto pika të përbashkëta të rritet njohuria dhe bashkëpunimi dy palësh në fushat kulturore dhe artistike në një të ardhme të afërt.
z. Falahatpisheh shprehu dëshirën që aktiviteti i sotëm të jetë në shërbim të këtij qëllimi fisnik, në promovimin e kulturës dhe artin iranian islam dhe studentët të njihen më afër më këtë kulturë.

Në fund të takimit profesorëve të pranishëm iu dha edhe nga një dhuratë simbolike me tablo të miniaturave perse, si dhe për studentët u shpërnda libri “Një hyrje në artin islamik pers”. Në këtë veprimtari Fondacioni Kulturor “Saadi Shirazi” i dhuroi bibliotekës së fakultetit një libër historiko-artistik në dy gjuhë (persisht-anglisht).