Ditën e premte në datë 13 nëntor, fondacioni kulturor “Saadi Shirazi”, promovoi para dashamirësve të kulturës dhe medias shqiptare në panairin e 12-të ndërkombëtar të librit Tirana 2009, 2 prej 8-të botimeve më t ë fundit.

Dy librat me tituj “Fjalë të urta perse”, dhe “Hyrje në artin islamik pers” karakterizohen nga veçori specifike.
Në këtë aktivitet kulturor ku ishin të pranishëm përkthyesit dhe redaktorët e këtyre dy librave, drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi” në Tiranë, z. Shahrouz Falahatpisheh, librin “Fjalë të urta perse” e konsideroi shumë tërheqës pas është një libër krahasues midis fjalëve të urta perse dhe atyre shqipe dhe shprehu dëshirën që në të ardhmen të promovohet në një formë të plotë të kulturës perse dhe asaj shqiptare dhe të shërbejë si burim informacioni ndërkulturor.

Duke ju referuar librit tjetër me temë “Hyrje në artin islamik pers” drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh u shpreh se, veçoria e këtij libri qëndron në faktin se ai paraqet një histori 7000 vjeçare të artit iranian që prej fillimit të qytetërimit iranian dhe deri më sot.

Në këtë libër vëmendje e veçantë i kushtohet periudhës të hyrjes të islamit në Iran dhe përzierjes të kësaj feje me elementë të kulturës iraniane që i dha shtysë lulëzimit të artit në fusha të ndryshme në këtë vend. Ai shpjegoi po ashtu edhe konceptin e artit islamik iranian, i cili buron nga kultura iraniane dhe islamike e popullit iranian.

Redaktori i librit “Fjalë të urta perse”, prof. dr. Emil Lafe, si dhe znj. Drita Lazri, përkthyesja e këtij libri folën përkatësisht rreth veçorive të përmbajtjes të këtij libri. Në përfundim të seancës të promovimit, drejtori i fondacionit kulturor “Saadi Shirazi”, z. Shahrouz Falahatpisheh falënderoi përkthyesit dhe redaktorët e këtyre dy librave të cilët do të priten ngrohtë nga lexuesit shqiptarë, si dhe shprehu dëshirën që ndërmarrje të tilla kulturore të jenë frytdhënëse në promovimin e kulturës së vërtetë iraniane dhe të shërbejnë si një urë në forcimin e marrëdhënieve kulturore dhe njohjen e kulturave me njëra-tjetrën.